Kica-Xhelili: Kurti e dinte çfarë do t’i shkaktonte LDK-së
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka deklaruar se Albin Kurti e dinte se pranimi i kandidaturës së Bekim Sejdiut për president do të shkaktonte përçarje brenda LDK-së.
Kica-Xhelili tha se që në fillim kishte dyshime për arsyen pse Kurti u pajtua me këtë kandidaturë. Sipas saj, kryeministri në detyrë e dinte saktësisht se emri i Sejdiut mund të shkaktonte zhvillimet që pasuan në LDK.
“Sikurse e shpreha në mbledhjen e grupit, kisha dyshimet e mia pse Kurti u pajtua për këtë kandidaturë”, shkroi ajo. Deputetja shtoi se, sipas vlerësimit të saj, tashmë ishte bërë e qartë pse Kurti e kishte pranuar këtë emër.
Kica-Xhelili tha gjithashtu se një pjesë e deputetëve të LDK-së dolën kundër kandidaturës së Sejdiut dhe se kjo e përçau partinë. Ajo e vlerësoi LDK-në si “tmerrësisht të lehtë për t’u lexuar nga Kurti”.