Skandal në derbin serb: një minutë heshtje për Ratko Mlladiqin
Një skenë e pazakontë dhe skandaloze është shënuar para derbit të 180-të mes Crvena Zvezdës dhe Partizanit, në kuadër të xhiros së tetë të Superligës së Serbisë. Në stadiumin “Rajko Mitiq” u mbajt një minutë heshtje në nderim të Ratko Mlladiqit, e shoqëruar me koreografi në tribuna.
Pak para fillimit të ndeshjes, tifozët e Partizanit nisën edhe thirrjet në mbështetje të Mlladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska.
Ratko Mlladiq është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai është shpallur fajtor për përgjegjësinë e tij në disa prej krimeve më të rënda të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Mes krimeve për të cilat është dënuar përfshihet edhe gjenocidi në Srebrenicë, ku u vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë. Nderimi i tij para një prej përballjeve më të mëdha të futbollit serb është cilësuar si një nga momentet më kontroverse të derbit.