Një 35-vjeçar shqiptar dyshohet se është ekzekutuar me armë zjarri në Itali, ndërsa trupi i tij është futur në një qese të zezë dhe është hedhur në lumin Tergola bashkë me një veturë. Viktima është identifikuar si Ferdinant Hoti, shtetas shqiptar me banim në Mirano, në provincën e Venecias.
Trupi i Hotit u gjet më 8 shtator në pjesën e pasme të një veture të zezë të tipit “Fiat Bravo”, pa targa, e cila ishte fundosur në ujërat e lumit në San Giorgio delle Pertiche, në provincën e Padovës.
Ekzaminimet mjekoligjore kanë treguar se Hoti ishte qëlluar me armë zjarri nga distanca e afërt dhe se në momentin e vrasjes i kishte duart e lidhura. Mjeku ligjor ka konstatuar se ai kishte vdekur para se trupi të përfundonte në ujë, pasi në mushkëri nuk janë gjetur gjurmë uji.