Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u ka bërë thirrje konsumatorëve të mos e konsumojnë një lloj sallami të shitur në dyqanet Conad, pas njoftimit për praninë e një trupi të huaj në produkt.
Sipas njoftimit të AKU-së, bëhet fjalë për “SALAME GALBANETTO G230 c.a”, i njohur edhe si Sallam Galbanetto. Konsumatorët që e kanë blerë këtë produkt duhet ta tërheqin dhe ta kthejnë pranë pikave të shitjes.
Njoftimi është bërë përmes sistemit europian të alarmit për ushqimin dhe ushqimin për kafshë, RASFF. Produkti është njoftuar nga autoritetet italiane si një produkt me nivel serioz rreziku për shëndetin.
Të dhënat identifikuese të produktit janë loti L.264173, data e skadencës 23 tetor 2026, numri i referencës 12364615 dhe referenca RASFF 2026.7652. Në njoftim, Conad figuron si paketues dhe eksportues, ndërsa Conad Albania si importues.