Pesë persona janë arrestuar në Prishtinë nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe tentim për tjetërsimin e një prone prej dy hektarësh në Fushë Kosovë, me vlerë rreth 1.5 milionë euro.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë të ditur se arrestimet janë kryer në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, personat e përfshirë, duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, e kanë pajisur me fletë poseduese personin me inicialet M.S. për pronën në Fushë Kosovë.
Më pas, sipas njoftimit të Prokurorisë, M.S. ka tentuar që, në bashkëpunim me persona të tjerë, ta tjetërsojë pronën përmes shitblerjes te personat me inicialet M.Z. dhe M.Z., duke përdorur dokumente të falsifikuara. Vlera e pronës është rreth 1 milion e 500 mijë euro.