Thaçi nga Haga: Kosova zgjodhi “të keqen më të vogël”
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur nga Haga për krijimin e Gjykatës Speciale, në një intervistë për “Top Story”, pas një periudhe të gjatë. Ai e ka lidhur vendimin me përpjekjen për ta shmangur përfshirjen e Rusisë dhe Kinës në këtë proces.
Thaçi ka thënë se Kosova ishte “mes dy zjarreve”: ose ta themelonte gjykatën bashkërisht me partnerët ndërkombëtarë, ose të lejonte formimin e saj nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sipas tij, në atë kohë u zgjodh “e keqja më e vogël për Kosovën”.
“Kështu e evituam Rusinë dhe Kinën nga procesi; sikur të ndodhte e kundërta, do të ishte një kthim prapa për Kosovën në kuptimin legal, politik dhe historik”, ka deklaruar Thaçi. Ai ka shtuar se për rrethanat thelbësore që çuan në formimin e gjykatës dhe për ecurinë e mëtejshme të procesit nuk mund dhe nuk dëshiron të flasë, ndërsa në titullin e intervistës është përmbledhur edhe shprehja e tij se sot po e paguan çmimin “në lëkurën” e vet.