Haziri: Deklarata e Listës Serbe u përdor si pretekst për bllokimin e seancës
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se deklarata e deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, u përdor si pretekst nga Lëvizja Vetëvendosje për bllokimin e procesit në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës.
Në atë seancë nuk u arrit të votohej për nënkryetarët e propozuar nga LDK-ja dhe PDK-ja. Haziri e ka cilësuar të papranueshme gjuhën e përdorur nga Simiqi, por ka thënë se kjo situatë mund të jetë shfrytëzuar për ndërprerjen e seancës dhe shtyrjen e vazhdimit të saj.
“Përdorimi i fjalorit nga përfaqësuesit e Listës Serbe ka qenë pak a shumë i njëjtë edhe në zgjedhjet e kaluara. Mirëpo, tani nuk është mirë të përdoret një terminologji e tillë. Është e papranueshme”, ka thënë Haziri.
Haziri ka folur edhe për mundësinë që LDK-ja ta tërheqë kandidaturën e Kujtim Shalës për nënkryetar të Kuvendit. Sipas tij, LDK-ja nuk do të tërhiqet nga kandidatura e Shalës.